Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
08 Janar 2025
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të sotëm të policisë në veri të vendit, që rezultoi me mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë.
“Aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucionalë, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona”, u shpreh Sveçla.
Ministri ndau pamje nga brendia e objektit, duke thënë se ky institucion mblidhte ilegalisht mjete financiare nga qytetarët dhe subjektet që jetonin e vepronin në Republikën e Kosovës, shkruan IndeksOnline.
“Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, tha Sveçla.

















