Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 janar 2026
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e aktgjykimit P.A.nr.16/2025, me të cilin është shpallur i paligjshëm obligimi i pensionistëve për t’u paraqitur në Departamentin e Pensioneve çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.
Sipas Supremes, aktgjykimi ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, të cilat lidhen me procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Vendimi është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe i është dorëzuar palëve në procedurë, duke marrë efekt juridik të plotë.
Gjykata thekson se përgjegjësia për zbatimin e vendimit bie mbi institucionet ekzekutive dhe se gjykatat nuk kanë kompetencë për të monitoruar zbatimin e vendimeve nga institucionet e tjera.
Si rezultat i këtij vendimi, pensionistët nuk kanë më obligim të paraqiten çdo gjashtë muaj për të dëshmuar gjallërinë për vazhdimin e pensionit.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka njoftuar se disa kategori pensionistësh nuk kanë më nevojë të paraqiten rregullisht, përfshirë përfituesit e pensioneve kontributive, parciale kontributive dhe familjare.
Megjithatë, disa kategori pensionistësh do të vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas ligjit në fuqi. MFPT po ndërmerr masa për t’i lehtësuar pensionistët, duke përfshirë:
- Ekipe mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës.
- Thjeshtimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit.
MFPT siguron se shërbimet për pensionistët do të jenë më të thjeshta dhe më të shpejta, duke ruajtur integritetin dhe qëndrueshmërinë e skemave pensionale.

















