Stacioni i Policisë së Kosovës në Zveçan është sulmuar me dy granata që dyshohet të jenë M-75 prodhim jugosllav, dhe përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Ngjarja ka ndodhur të martën rreth mesnatës, ndërsa deri tani nuk ka të arrestuar dhe nuk dihet motivi i këtij incidenti, raporton KosovaPress.
Për këtë incident kanë dhënë detaje edhe policia.
“Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej thuhet se në lidhje me këtë rast në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante të cilat kanë kryer vendshikimin, gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
“Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi. Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në komunikatë.