Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 dhjetor 2025
FBI ndihmon Kosovën në zbardhjen e sulmit terrorist ndaj kanalit Ibër-Lepenc
Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) ka luajtur rol kyç në hetimet për sulmin me bombë ndaj kanalit Ibër-Lepenc, që ndodhi më 29 nëntor 2024. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ekspertiza gjeologjike e FBI-së mbi mostrat e dheut nga çizmet e të dyshuarve vërtetoi lidhjen e tyre me vendin e ngjarjes.
Të dyshuarit, vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, u kapën në Zubin Potok dhe fshatin Prevllak, ku u sekuestruan çizmet e tyre. Raporti gjeologjik i FBI-së tregoi se mostra e dheut nga çizmet e tyre përputhej në strukturë, ngjyrë dhe përbërje me dheun e marrë nga vendi i sulmit, duke konfirmuar përfshirjen e tyre në aktin terrorist.
Sipas aktakuzës, i dyshuari kryesor ishte një kolonel serb, i rekrutuar nga shërbimi sekret i Serbisë. Hetimet u mbështetën nga ekspertët e Policisë së Kosovës dhe zyrtarë të FBI-së, të cilët siguronin mostrat referente të dheut nga vendi i ngjarjes dhe nga shtëpitë e të dyshuarve.
Ky rast nënvizon bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe rolin vendimtar të analizave shkencore për të dokumentuar krimet e rënda.

















