Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 dhjetor 2025
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut u është vazhduar masa e paraburgimit në kuadër të çështjes “Thaçi dhe të tjerët”. Vendimi është marrë më 3 dhjetor 2025 nga gjykatësi i vetëm, i cili vlerësoi se ekziston rrezik real që të akuzuarit, nëse lirohen, të pengojnë procesin gjyqësor ose të kryejnë vepra të tjera penale.
Aktakuza kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Më 3 prill 2025, Gjykata e Apelit pranoi pjesërisht ankesën e ZPS-së, duke rikthyer çështjen për rishqyrtim sa i përket përgjegjësisë penale të Thaçit bazuar në nenin 32(3) të Kodit Penal të Kosovës. Pas rishikimit, më 14 prill 2025, u konfirmua një formë shtesë e përgjegjësisë penale për ish-presidentin.
Sipas aktakuzës, ndërmjet 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi dyshohet se ka shpërndarë informacione konfidenciale për dëshmitarë të ZPS-së gjatë vizitave në paraburgim, duke udhëzuar bashkëpunëtorë të afërt të ndikojnë në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se ai ka koordinuar tri grupe të veçanta me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë brenda procesit për krime lufte.
Isni Kilaj, fillimisht i arrestuar në vitin 2023 vetëm si i dyshuar, u lirua me kushte në maj 2024 për shkak të zgjatjes së procedurave. Pas konfirmimit të aktakuzës së re në dhjetor 2024, ai, së bashku me Smakajn dhe Fazliun, u arrestuan dhe u transferuan në paraburgimin e Hagës. Thaçit iu dorëzua fletarrestimi brenda objektit të paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi mori fletëthirrjen për paraqitjen e parë.
Gjatë paraqitjeve fillestare, Fazliu u deklarua i pafajshëm menjëherë, ndërsa Thaçi dhe Smakaj u vetëdeklaruan të pafajshëm në janar 2025.
Gjatë vitit 2025, palët dorëzuan dosjet paraprake, ndërsa më 12 nëntor 2025, çështja iu dorëzua gjykatësit të vetëm që do të udhëheqë procesin gjyqësor. Konferencat përgatitore për gjykimin u zhvilluan më 28 nëntor 2025.

















