Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 prill 2025
Sot me fillim në orën 15:00 do të vazhdojë seanca konstituive, me pikat e mbetura nga seancat e kaluar, e që janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në seancën e së shtunës deputetët e Kuvendit të Kosovës përfunduan punën me votimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe betimin e deputetëve.
Gjatë seancë të së shtunës dy herë deputetët dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Haxhiu, ka deklaruar se do të jetë sërish emri i propozuar nga subjekti i saj për pozitën e kryetares së Kuvendit pavarësisht dy tentimeve të dështuara në seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës së votave të nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për media, vlerëson se e njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen e saj për atë kandidaturë. Sipas PDK-së, ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas votimit të mandateve të deputetëve, kishte thënë se është parë situata me numrat për formimin e institucioneve dhe arsyet e bllokimit.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën urgjente për ndërtimin e institucioneve funksionale në vend.

















