Sot protestohet në Hagë kundër Gjykatës Speciale

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 shtator 2025

Nga Kosova, Shqipëria, vende të ndryshme të Evropës e nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqiptarët janë nisur drejt Holandës.

Sot në Hagë do të mbahet një protestë masive në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale.

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dhe zhvillohet në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim dhe po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Protesta pritet të mbahet me fillim nga ora 14:00 pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, jo te Gjykata Speciale sepse një gjë e tillë nuk është lejuar për arsye të sigurisë.

Sipas organizatorëve, protesta do të jetë paqësore dhe do të karakterizohet me shpalosjen e rreth 100 parullave dhe sloganeve të përgatitura në gjuhën angleze, me qëllim që mesazhi i protestuesve të transmetohet qartë te opinioni ndërkombëtar.

Përmes kësaj proteste, organizatorët synojnë të shprehin solidaritetin e qytetarëve shqiptarë me ish-ushtarët e UÇK-së, duke theksuar bindjen e tyre në drejtësinë e kauzës së luftës çlirimtare.

OVL-UÇK u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në afërsi të Hagës që t’i bashkohen kësaj proteste, duke respektuar parimet demokratike dhe të drejtën për shprehje të lirë.

Scroll to Top