Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 shkurt 2026
Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe “Përpjekja”, kanë njoftuar se sot do të organizojnë protestë kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe me pasoja të rënda për qytetarët e Kosovës.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në ora 13:00 me grumbullim para ndërtesës së KEDS-it, ndërsa marshimi do të përfundojë para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në reagimin e tyre publik, organizatat theksojnë se që nga viti 2022 qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike, të cilat, sipas tyre, janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në favor të KEDS-it dhe në dëm të interesit publik. Ato vlerësojnë se konsumatorët po detyrohen të paguajnë jo vetëm çmimin e energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë private.
Tutje, organizatat kritikojnë ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë muajve të dimrit, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që shtrenjtimi i rrymës ka në rritjen e kostos së jetesës.
Ato rikujtojnë se gjatë vitit të kaluar është miratuar një rritje prej 16.1 për qind, ndërsa për këtë vit po paralajmërohet një tjetër rritje rreth 20 për qind, e cila, sipas tyre, është e papranueshme. Sipas deklaratës, KEDS përfiton duke blerë energji me çmime të ulëta nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe duke e shitur atë me çmime dukshëm më të larta për qytetarët.
Organizatat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se angazhimi dhe mobilizimi qytetar janë thelbësore për mbrojtjen e interesit publik dhe kundërshtimin e praktikave shumëvjeçare që, sipas tyre, kanë dëmtuar sektorin e energjisë.

















