Sot pritet të merret vendimi për rritjen e çmimit të rrymës, protestë në Prishtinë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 prill 2025

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji sot do të mbajë mbledhje, në të cilën pritet të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike, i cili do të hynte në fuqi më 1 maj.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se sot (e premte), duke filluar nga ora 10:00, do të mbajë seancën e tretë për këtë vit, në të cilën në rend dite është shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST/OT, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OSSH, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për FSHU dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.

Drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ditë më parë ishte shprehur se bursa është shkaktari kryesor i rritjes së çmimit të rrymës.

Ai tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike është për shkak të rritjes së çmimit në bursë.

Pepaj theksoi se ZRRE-ja është munduar që pavarësisht kostos, qytetarët të kenë energji elektrike dhe se ata nuk kanë dëshirë e as vullnet të vendosin pa arsye, barrë mbi qytetarët.

Paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 15%, kanë nxitur reagimin e qytetarëve.

Të shtunën e kaluar, më 5 prill, u protestua në Prishtinë, ku u kërkua të mos merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

E një protestë e njëjtë do të mbahet sërish nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet me fillim nga ora 12:00.

Scroll to Top