Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 qershor 2025
Nën udhëheqjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot fillon edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili për dy ditë me radhë do ta shndërrojë Prishtinën në qendër të diskutimeve globale mbi çështjet gjinore, paqen dhe sigurinë.
Forumi do të sjellë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës të nivelit të lartë nga më shumë se 45 shtete të botës përfshirë presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e aktivistë të shquar.
“Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për ‘Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë’”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ky forum ndërkombëtar është kthyer në një platformë të fuqishme dialogu dhe bashkëpunimi, që synon të forcojë rolin e grave në procese vendimmarrëse.
Përmes këtij forumi Kosova rikonfirmon përkushtimin e saj për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, duke e vendosur veten si shembull në rajon dhe më gjerë për nisma që në fokus kanë fuqizimin e grave.

















