Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
24 dhjetor 2025
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc në fshatin Varragë, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq për veprat penale:
- “Rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”
- “Kryerje e aktit terrorist”
- “Armëmbajtje pa leje”
- “Spiunazh”
Vëllezërit Viqentijeviq u arrestuan pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe që nga atëherë ndodhen në paraburgim. Sipas aktakuzës, ata, së bashku me persona të tjerë ende të panjohur, kishin vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit dhe aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni. Si pasojë u dëmtua rëndë struktura e kanalit, u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm dhe u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike. Dëmi i shkaktuar ndaj ndërmarrjes Ibër–Lepenc vlerësohet në afërsisht 400 mijë euro.
Ibër–Lepenci është ndërmarrje kosovare me seli në Prishtinë, që furnizon ujë të papërpunuar për impiante industriale dhe sipërfaqe bujqësore, si dhe për Korporatën Energjetike të Kosovës. Ndërmarrja është themeluar më 28 shkurt 1967, ndërsa sot funksionon si shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Në aktakuzë, Jovan Viqentijeviqi akuzohet gjithashtu për spiunazh, pasi dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për aktivitete të paligjshme në territorin e Kosovës.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me partnerë evropianë dhe amerikanë, përfshirë agjentë të FBI-së, dhe janë sekuestruar armë dhe eksploziv.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 10 dhjetor se tre të akuzuarit ishin të lidhur me strukturat shtetërore të Serbisë. Beogradi ka mohuar përfshirjen e tij, por presidenti Aleksandar Vuçiq ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në hetime ndërkombëtare dhe ka theksuar se kushdo i përfshirë do të arrestohet nëse rezulton përgjegjës.
Kryeprokurori në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë se pritet një hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar faktet e plota, ndërsa ende nuk dihet nëse organet e drejtësisë serbe kanë nisur hetime konkrete.

















