Skenarët e mundshëm që të ketë zgjedhje parlamentare bashkë me ato lokale

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

10 qershor 2025

“Zgjedhje të jashtëzakonshme”, Cakolli shpalos tre skenarë të mundshëm për 12 tetorin

Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur mundësinë që bashkë me zgjedhjet lokale, të caktuara për 12 tetor, të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Ideja u përmend pas dështimeve të njëpasnjëshme të konstituimit të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Por për t’u bërë kjo, Kuvendi patjetër duhet të konstituohet.

Një skenar i tillë është përmendur nga Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka identifikuar tri rrugë kushtetuese që mund të çojnë drejt mbajtjes së të dyja proceseve zgjedhore në të njëjtën ditë.

Megjithatë, Cakolli ka theksuar se për secilin prej këtyre opsioneve, kushti paraprak dhe i domosdoshëm është konstituimi i Kuvendit të Kosovës — një proces që aktualisht mbetet i bllokuar.

Në përputhje me Kushtetutën, seancat për konstituimin e Kuvendit mund të thirren çdo 48 orë, me afat deri në muajin shtator, duke lënë hapësirë për zhvillime të mëtejshme në skenën politike.

Tri opsionet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Cakollit:

Shpërndarja e Kuvendit me vendim të deputetëve

Në kushtet e një ngërçi të zgjatur politik, një nga skenarët që po përmendet është ai i shpërndarjes së Kuvendit pas konstituimit të tij, përmes një vendimi që kërkon të paktën 80 vota të deputetëve.

Pas shpërndarjes, Presidentja e Kosovës ka afat deri në 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, të cilat sipas ligjit mbahen brenda 30 deri në 45 ditë pas shpalljes zyrtare. Për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve më 12 tetor, në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë mes datave 18 gusht dhe 2 shtator, ndërsa shpallja e zgjedhjeve duhet të ndodhë në periudhën 28 gusht – 12 shtator.

Në këtë variant, shpërndarja automatike e Kuvendit duhet të ndodhë më së voni deri më 2 shtator. Kjo do të nënkuptonte që Presidentja duhet të mandatojë kandidatin për Kryeministër më së voni deri më 4 korrik. Deri në këtë datë, janë të mundshme deri në 12 seanca të dështuara, nëse ato mbahen çdo 48 orë.

Skenari i dështimit të dyfishtë për formimin e qeverisë

Një tjetër opsion është ai i dështimit të dyfishtë për krijimin e qeverisë. Në këtë rast, Presidentja e vendit, pas konstituimit të Kuvendit, emëron një kandidat për Kryeministër, i cili ka në dispozicion 15 ditë për të siguruar shumicën prej 61 votash në Kuvend. Nëse dështon, Presidentja ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër, i cili gjithashtu ka 15 ditë kohë për të kërkuar besimin e deputetëve.

Në rast se dështon edhe ky tentim i dytë, Presidentja është e detyruar të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh. Për t’u realizuar zgjedhjet më 12 tetor, ato duhet të shpallen më së voni deri më 2 shtator, ndërsa Kuvendi duhet të konstituohet më së voni deri më 23 korrik. Kjo do të lejonte deri në 21 seanca të dështuara deri në përmbushjen e afateve.

Bllokada vazhdon: Seanca e 29-të radhazi dështon

Procesi i konstituimit të Kuvendit aktualisht po përballet me bllokada serioze. Deri tani kanë dështuar 29 seanca për ta konstituuar atë, ndërsa seanca e radhës është thirrur për ditën e mërkurë.

Analisti politik Cakolli vlerëson se, në rast të vazhdimit të situatës aktuale, numri i seancave të dështuara mund të shkojë deri në 42, nëse ato thirren çdo 48 orë.

Scroll to Top