Skandali i rezervave shtetërore: Hajdari para gjykatës – A do të zbulojë seanca e sotme prapaskenat e furnizimeve për rezervat e shtetit?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 dhjetor 2025

Sot pritet të fillojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës shqyrtimi fillestar për rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”, në të cilin të pandehur janë ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Seanca është konfirmuar më herët nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila kishte bërë të ditur se ajo është caktuar për datën 10 dhjetor 2025, në orën 09:30.

Më 11 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën prej 106 faqesh ndaj të pandehurve, në lidhje me procedurat e furnizimit me mallra për rezervat shtetërore. Në dokumentin e siguruar nga Klan Kosova, thuhet se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është propozuar të dëgjohet si dëshmitar, me arsyetimin se ka pasur njohuri për procesin e furnizimit dhe ka nënshkruar dy vendime që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore dhe përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik.

Sipas aktakuzës, vendimet dhe nënshkrimet e Kurtit dhe Hajdarit janë përfshirë si prova materiale në procedurë. Prokuroria pretendon gjithashtu se ministrja Hajdari ka kryer pagesat dhe ka nënshkruar kontratat për blerjen e mallrave, ndërsa Ridvan Muharremi dyshohet të ketë pasur rol vendimtar në procesin e përzgjedhjes së kompanisë furnizuese, pavarësisht se, sipas aktakuzës, nuk kishte kompetencë zyrtare.

Në dokument përmendet se komunikimet ndërmjet të pandehurve janë zhvilluar përmes takimeve në ambiente private, si dhe përmes grupeve të komunikimit online. Po ashtu, thuhet se Hafiz Gara, në koordinim me ministren, ka kërkuar përmes emailit zyrtar të Qeverisë mbylljen e procesit të prokurimit dhe eliminimin e operatorëve tjerë nga gara për furnizimin me grurë, vaj dhe sheqer.

Prokuroria Speciale vlerëson se veprimet e përshkruara në aktakuzë janë kryer me dije për kundërligjshmërinë e tyre, duke theksuar se ka pasur “arsye të veçantë” që i kanë shtyrë të pandehurit në këto veprime.

Gjykimi pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa palët do të paraqesin qëndrimet e tyre para trupit gjykues.

Scroll to Top