Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
16 maj 2025
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e cila bie në juridiksionin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural (MBPZHR) e cila udhëhiqet nga Faton Peci e ka mbajtur tërësisht fshehur një krim ndaj qytetarëve që kanë konsumuar peshk me krimba Anisakis. Parazitët-krimbat në peshk, sipas dokumenteve që i ka siguruar Periskopi, janë parë me sy në laborator dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e popullatës që i kanë konsumuar.
Dokumente zyrtare, të vulosura dhe të nënshkruara nga zyrtarët e AUV-së, dëshmojnë qartë se qindra mostra peshku të importuar në vendin tonë kanë rezultuar me parazitin Anisakis spp, dhe atë në formën e tij më të rrezikshme, larvat në stadin e tretë (L3).
Këto krimba, të gjatë deri në 3 centimetra, janë vërejtur me sy të lirë gjatë analizave laboratorike që janë kryer nga data 24 nëntor 2023 deri më 6 shkurt 2024.
ë dokumentet e siguruara nga Periskopi, dëshmohet për dhjetra analiza që janë kryer në peshkun e importit që kanë rezultuar me krimba.
Peshku i importuar nga Kanadaja, Argjentina, Spanja dhe Maqedonia e Veriut, i llojit Merluc (Hake fish), është analizuar në 28 mostra në laboratorin e AUV-së. Të gjitha mostrat kanë rezultuar të kontaminuara, por skandali qëndron në faktin se asnjë njoftim publik nuk është lëshuar, dhe pjesa më e madhe e peshkut është lejuar të shitet në treg.
Duke shkelur ligjin, Agjencia e Ushqimit as sot e kësaj dite nuk ka dhënë asnjë informatë për konsumatorët, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
AUV vetëm dy ngarkesa i ka asgjësuar dhe bërë publike, ndërsa të tjerat janë shpërndarë nëpër tregje dhe markete në mbarë vendin. Kështu, qytetarët , pa dijeni jo vetëm që kanë blerë, por kanë gatuar dhe konsumuar peshk të mbushur me krimba. Dy kompanive u janë asgjësuar ngarkesat, ndërsa kompanive tjera u është lejuar ta shesin peshkun me parazit Anisakis.
“Gjatë hapjes së secilës dërgesë dhe mostër të peshkut nga kaviteti abdominal janë vërejtur me syrin e thjeshtë një numër i konsideruar i parazitëve Nematod nga 3 deri në 10 parazitë të llojit Anisakis sp të cilët shumë krajtë janë dalluar me anë të syrit, në matje madhësia ka qenë nga 17 mm (1.7 cm) deri në 31 mm (3.1 centimetra) me forma të lavrave të standeve të ndryshme dhe sidomos format e stadit të tretë L3”, thuhet në raportin e analizave të Laboratorit të Bakteriologjisë me Parazitologji pranë Agjencise së Ushqimit dhe Veterinarisë, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të laboratorit në hartimin e raportit.

Shkelja e ligjit, mosinformimi i qytetarëve për rrezikun.
Ligjërisht, çdo produkt ushqimor që rezulton i kontaminuar, i dëmshëm për shëndetin publik apo i pasigurt duhet të ndalohet menjëherë nga qarkullimi, të asgjësohet dhe konsumatori të informohet. Në këtë rast, jo vetëm që nuk janë ndaluar ngarkesat e tjera, por institucioni ka heshtur duke mos lëshuar asnjë njoftim publik, duke fshehur analizat dhe duke i lejuar operatorët të vazhdojnë distribuimin.