Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
Sistemi Elektro Energjetik i Kosovës (KOSTT) njoftoi se po vazhdon të përballet me mbi-ngarkesë të rrjetit, duke kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë orëve të pikut. Zonat më të rrezikuara për reduktime janë Rahoveci, Malisheva, Prizreni, Dragashi, Gjilani dhe Lipjani, të cilat së fundmi përjetuan ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë.
Edhe KESCO ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë, ndërsa qytetarët shprehen të shqetësuar për faturat e larta.
“Po çfarë përballimi, këta nuk janë normal…”, u shpreh nje qytetar.
“Reduktime po ka, faturat janë të papërballueshme, çka me ba”, u shpreh një tjetër.
Sipas të dhënave zyrtare, Kosova prodhon rreth 900 megavat energji elektrike, ndërsa konsumi arrin në mbi 1400 megavat, duke rritur nevojën për import. Të dielën, blloku B1 i Termocentralit të Kosovës ra nga sistemi, por më pas rifilloi punën.
Njohësi i çështjeve energjetike, Adhurim Haxhimusa, thekson se keqmenaxhimi i sistemit energjetik ka çuar në rritje të tarifave dhe paralajmëron se trendi i rritjes së çmimeve do të vazhdojë. Ai shtoi se qytetarët duhet të kërkojnë modernizimin e rrjetit dhe jo vetëm rritjen e tarifave për të financuar burime të jashtme.
Sipas të dhënave, në tetor u shënua rritje e konsumit të energjisë me 17%, ndërsa importi i energjisë u rrit me 19% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, importi i energjisë nga viti 2020 deri në 2025 ka kapur mbi 800 milionë euro, krahasuar me 270 milionë euro gjatë periudhës 2015-2020.
Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat brenda muajit paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 15.43 centë për kilovat. ZRRE ka njoftuar se në dhjetor do të nisë shqyrtimi i tarifave energjetike, ndërsa pritet që energjia të shtrenjtohet edhe në vitin 2026, ashtu si ndodhi në prill të këtij viti.

















