Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 korrik 2025
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit Publik (RTK) ka thënë se janë në prag të kolapsit financiar dhe për këtë kanë njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve.
Sipas njoftimit, RTK-ja ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
“…gjë që rrezikon funksionimin e rregullt të institucionit, punën e qindra punonjësve dhe misionin publik të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në njoftim.
Siç thotë Sindikata, mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik, duke kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës dhe e pagave për punonjësit e RTK-së.
“Ne i bëjmë thirrje opinionit publik, institucioneve dhe mediave të qëndrojnë të informuara dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik, si një aset i përbashkët i qytetarëve dhe i demokracisë”, vijon njoftimi.
Buxheti i RTK-së miratohet nga Kuvendi i Kosovës, i cili që nga zgjedhjet e 9 shkurtit është i pakonstituuar. Sot do të bëhet përpjekja e 51-të.