Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
06 nentor 2025
Shtrenjtimi i energjisë elektrike prej 16.1% për të gjithë konsumatorët në Kosovë në fillim të 2025 dhe liberalizimi i tregut të hapur energjetik më pas, vlerësohen të jenë shkaktarët kryesorë të shtrenjtimit të pothuajse të gjitha produkteve në tregjet e Kosovës.
Ndërkohë, mungesa e institucioneve legjitime që do t’i jepte një përgjigje shqetësimeve të qytetarëve, apo do të mbikëqyrte punën e institucioneve që morën vendimin për rritjen e tarifave energjetike, vetëm sa ka shtuar shqetësimin e tyre.
Disa qytetarë kanë deklaruar se ”Nuk ka ekonomi në Kosovë”.
“Nuk e mbajë mend që ka pas kohë ma të vështirë se kjo. Që nga paslufta nuk ka pas, por edhe para luftës po flas për vitet e 80-ta nuk u kanë ma keq…”.
“Ma keq e ma zor ma nuk di qysh. Nuk ka ekonomi në Kosovë”.
“Vallahin boll zor u ba…”.
Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave për muajin shtator flasin për një shtrenjtim të energjisë elektrike prej të paktë 17.4 për qind ndërkohë që shkalla e inflacionit në po të njjëtën periudhë ka arritur në 4.7 për qind. Ndërkohë, vendimi për liberalizimin e tregut energjetik, vlerësohet të jetë shkaktari kryesor pse Kosova aktualisht është e vërshuar me mallra nga importi. Drejtori i dhomës së tregtisë, Kushtrim Ahmeti, tha se situata aktuale ekonomike në Kosovë është dëshmia më e mirë e pasojave që ka prodhuar qoftë vendimi për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 16.1%, qoftë liberalizimi i tregut energjetik që ka prekur mbi 1300 biznese. Ahmeti ka ngritur shqetësimin se bizneset që dolën në treg të hapur veç çmimit të lartë të energjisë po përballen edhe me reduktime.
“ Në fund të ditës të gjithë ne jemi konsumator dhe të gjithë ne po e shohim si është situata nëpër markete…”, tha Ahmeti.
Në anën tjetër, në një kohë kur Kosova ka çuar dëm gjithë vitin 2025 për shkak të bllokadës politike, njohësi i çështjeve të ekonomisë Safet Gërxhaliu, ka ngritur alarmin se qytetarët sërish do të ballafaqohen me shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike.
“Në janar do të kemi shtrenjtim sërish shkak tarifa e dioksidkarbonit….”, tha Gërxhaliu.
Lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike RTV21 ka provuar të marr një përgjigje edhe nga ZRRE e cila muaj më parë ka paralajmëruar se sërish do të ketë rishikim të tarifave të energjisë elektrike. Megjithatë, deri në publikimin e kësaj kronike RTV21 nuk ka marr një përgjigje.

















