Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 shkurt 2026
Një tjetër hap i rëndësishëm është hedhur në kuadër të marrëveshjes trilaterale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, teksa shefat e shtabeve të përgjithshme të tre vendeve zhvilluan një takim të përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në një reagim publik theksoi se kjo nismë synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura dhe garantimin e një gatishmërie më të lartë operacionale përballë sfidave të reja të sigurisë.
Sipas tij, fokusi i bashkëpunimit do të jetë zhvillimi i stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta, me qëllim përballimin e kërcënimeve hibride dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.
Vengu bëri të ditur se viti 2026 do të shënojë organizimin e stërvitjes së parë trilaterale, një hap konkret në zbatim të marrëveshjes dhe në linjë me Konceptin Strategjik të NATO-s dhe objektivat euroatlantike të tre vendeve.
Takimi konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e sigurisë rajonale dhe për konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet tre vendeve në kuadër të arkitekturës euroatlantike të sigurisë.























