Shpëtim (Tim) Qorraj hap zyrtarisht fushatën për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut në Distriktin 64

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

28 janar 2026

Kandidati për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, Shpëtim (Tim) Qorraj, ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale me një takim prezantues në Staten Island, duke u fokusuar tek komuniteti shqiptar.

Takimi u zhvillua në ambientet e “Cielo”, në Hylan Boulevard, ku morën pjesë anëtarë të komunitetit, përfaqësues lokalë dhe mbështetës. Qorraj prezantoi vizionin dhe prioritetet e tij, duke theksuar nevojën për përfaqësim më aktiv për zonat East Shore të Staten Island dhe Bay Ridge në Brooklyn, të cilat sipas tij, janë lënë jashtë vëmendjes institucionale.

Ai nënvizoi se siguria publike, transporti, arsimi dhe mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore kërkojnë një angazhim më të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit lokalë.

Duke u prezantuar si banor i South Beach, sipërmarrës, bashkëshort dhe baba, Qorraj tha se kandidon për një Nju Jork më të përballueshëm, me mbështetje për familjet, pensione dinjitoze për të moshuarit dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë.

“Kjo fushatë ka të bëjë me vendosjen e komunitetit në radhë të parë dhe ndërtimin e një Distrikti 64 më të sigurt dhe më të fortë,” deklaroi Qorraj, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve.

Kush është Shpëtim (Tim) Qorraj

I lindur në Kosovë, Qorraj u vendos në SHBA në vitin 2011 dhe jeton në Staten Island. Ai është sipërmarrës dhe aktivist komunitar, themelues i organizatave jofitimprurëse në mbështetje të familjeve emigrante.

Ai është pronar i Skyler Services Group LLC, ka përfunduar studime Master në Të Drejtën Penale, dhe si prind i dy fëmijëve dhe anëtar aktiv i PTA-së, është mbështetës i fuqishëm i arsimit publik dhe forcimit të komuniteteve lokale.

Scroll to Top