Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
26 gusht 2025
Një rast i pazakontë është shënuar mbrëmë në Leposaviq, ku një e mitur është kapur nga Policia pasi kishte shkruar mbishkrime me përmbajtje provokuese.
Mesohet se ngjarja ka ndodhur më 25 gusht 2025, rreth orës 21:30, në fshatin Soçanicë, ku njësitet policore gjatë patrullimit panë mbishkrime në një shtëpi të pabanuar, të cilat përmbanin mesazhe nxitëse dhe provokuese si: “Kad se vojska na Kosovo vrate, UÇK Srbija 4S”.
Gjatë patrullimit, policia ka hasur të dyshuarën A.Z rreth 15-vjeçare, e cila u shoqërua në stacion policor. Në bisedën fillestare, e mitura ka pranuar se i kishte shkruar mbishkrimet, duke thënë se e kishte bërë “për shaka”. Policia ka gjetur dhe sekuestruar ngjyrat që ishin përdorur për shkrime.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të moshës, e mitura do të intervistohet sot më 26 gusht 2025, në prani të avokatit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale.
Rasti është iniciuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt. Hetimet janë në vazhdim.