Shkatërrohet grupi kriminal i Demë Elshanit, dyshohet se planifikuan vrasje

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

30 janar 2025

Grupi i dyshuar kriminal i Demë Elshanit dyshohet se qëndron prapa një sërë incidentesh, përfshirë shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri, të ndodhura nga viti 2023 e këndej në Pejë. Banda e 49-vjeçarit nga Ozdrimi i Pejës është shkatërruar. Katër persona janë arrestuar në Pejë dhe Prishtinë.

Një grup prej katër personash, i lidhur me Demë Elshanin nga Ozdrimi i Pejës, ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës.

Grupi i dyshuar kriminal përbëhet nga Qëndrim Elshani, Adrian Gashi dhe Mentor e Leon Dreshaj, raporton Paparaci nga burime brenda organeve të sigurisë.

Ata janë arrestuar në flagrancë në Pejë dhe Prishtinë derisa po pranonin armët për kryerjen e vrasjes, tha Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të enjten.

Bazuar në njoftimin e policisë, aksioni për shkatërrimin e grupit të dyshuar kriminal të Demë Elshanit ka nisur vitin e kaluar.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj  kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuari janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit, policia tha se janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarave në katër lokacione të ndryshme në Pejë dhe Prishtinë.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme”, tha policia.

Me vendim të prokurorit special, Qëndrim Elshani dhe Mentor e Leon Dreshaj janë dërguar në mbajtje, ndërsa Adrian Gashi është liruar, ka mësuar Paparaci.

Qëndrim Elshani është nipi i Demë Elshanit, të arratisur nga Kosova dhe nën kërkim ndërkombëtar për dy vepra penale të vrasjes së rëndë.

Mentor dhe Leon Dreshaj, me origjinë nga Tuzi i Malit të Zi, po ashtu të përfshirë në akte kriminale gjatë dy viteve të fundit, të cilat dyshohet se janë porositur nga Elshani.

Paparaci, ka siguruar një video të Leon Dreshajt, në të cilën Elshanit ia uron Vitin e Ri dhe fillon të shtiejë me armë automatike në qiell të hapur.

“Urime Viti i Ri o Demë Elshani, o mixha jonë më i madhi”, dëgjohet duke thënë Leon Dreshaj.

Pastaj, Dreshaj lëshohet në fyerje ndaj “armiqve” të Elshanit.

49-vjeçari po tenton që përmes një kallëzimi penal ndaj familjes Buquku, të përfitojë rreth dy milionë euro.

Qëndrim Elshani, nipi i Demë Elshanit, ka dorëzuar një kallëzim penal në polici për kinse një borxh prej dy milionë eurove të pakthyer nga familja Buquku e Pejës. Të kallëzuar penalisht janë Enver, Jeton dhe Egzon Buquku.

Scroll to Top