Shfuqizimi i kriterit për lajmërim çdo 6 muaj, pensionistët të kënaqur me vendimin

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

19 dhjetor 2025

Zyra e departamentit për pensione në Prishtinë edhe këtë të enjte ishte destinacion për pensionistët, që lajmërohen për të dëshmuar se janë gjallë.

Pensionistët në Kosovë po vazhdojnë të ndjekin praktikën shumëvjeçare të paraqitjes çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar nenet e ligjit që e obligonin një veprim të tillë.

Disa pensionistë kanë deklaruar se nuk janë informuar nga zyrtarët për ndryshimin ligjor dhe se janë detyruar të paraqiten për shkak të frikës nga ndërprerja e pensionit. Disa prej tyre kanë treguar se pensioni u është ndalur më herët për shkak të mosparaqitjes, duke i detyruar të shkojnë personalisht në sportele për verifikim.

Të mërkurën, Gjykata Supreme konstatoi se nenet që parashihnin pasoja për pensionistët, përfshirë ndalimin e pensionit, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas vendimit, përgjegjësia për verifikimin e statusit të jetës së pensionistëve i takon Ministrisë së Financave dhe jo vetë qytetarëve.

Supremja theksoi se Ministria është e obliguar të shfrytëzojë burimet ekzistuese zyrtare të informacionit dhe mekanizmat administrativë për të identifikuar rastet e vdekjes, përpara se të ndërmarrë masa kufizuese si ndërprerja e pensionit. Vendimi nënvizon se ligji parashikon verifikim aktiv nga ana e institucioneve dhe jo vendosjen e një barre disproporcionale mbi pensionistët, veçanërisht ata në moshë të shtyrë.

Televizioni Dukagjini ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, por deri në fund të ditës nuk ka pasur përgjigje zyrtare.

Vendimi i Supremes është mirëpritur nga pensionistët, të cilët shprehen se shpresojnë që ai të zbatohet realisht në praktikë. Sipas tyre, detyrimi për t’u paraqitur fizikisht për verifikim ka qenë i panevojshëm dhe i rëndë, sidomos për të moshuarit.

Aktualisht, pensioni bazë i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërsa pensioni për kontribuuesit varion nga 218 deri në 318 euro në muaj.

Scroll to Top