Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
21 shkurt 2025
Kosova njihet si vend ku përdorimi i veturave për qarkullim është bërë pjesë e domosdoshme për të arritur në destinacionin e duhur cdo dit , për shkak të mungesës së metrove, trenave e ngarkesës së madhe në autobusë.
Kjo ka ndikuar në rritje të interesimit të qytetarëve për t’u pajisur me patentë të shoferit, por që nuk ka qenë e lehtë për shumë prej tyre, shkak mënyra së testimit me shkrim, por duket se kjo do të lehtësohet me mënyrën e re të testimit, që ka nisur nga 18 shkurti, ku me vendim të Ministrisë së Infrastrukturës është ndryshuar mënyra e testimit.
Ky ndryshim përfshin nga pyetjet me tri alternativa të sakta, gjë që shkaktonte shumë konfuzion te kandidatët, tanimë pyetjet kanë vetëm një përgjigje të saktë.
“Është në proces ndryshimi mënyra e testimit, e cila krijon lehtësira për testimin e kandidatëve për të gjitha kategoritë, rrit efikasitetin, cilësinë e vlerësimit të njohurive të kandidatëve dhe saktësinë në vlerësim të kandidatëve”, u bë e ditur nga Ministria.
MI-ja thotë se kjo mënyrë testimi është marrë nga disa vende të Bashkimit Evropian dhe se krijon lehtësira për ata që duan të pajisen me patentë shoferi.
Ky vendim u mirëprit edhe nga qytetarët, të cilët janë të interesuar për t’u pajisur me patentë shoferi.
Arjanita, një 19-vjeçare nga Obiliqi, e cila ishte pranë Qendrës së Testimit në Prishtinë, u shpreh për “Zërin” se kjo është një gjë shumë e mirë dhe e bën më të lehtë testimin.
“Ky është lehtësim për neve, se shpeshherë jena ngatërruar”, shprehet ajo.
Të njëjtin e mendim e ndan edhe Bardhyli, një 22-vjeçar nga Fushë-Kosova, i cili shprehet se ka provuar dy herë më parë, por që nuk ka mundur ta kalojë këtë test.
“Po, kjo është një gjë e mirë, na e ka lehtësuar shumë punën”, thotë ky i ri mes të tjerash.
Mirëpo të njëjtin mendim me qytetarët nuk e ndan edhe Faton Bunjaku, ekspert i komunikacionit rrugor.
Bunjaku në një përgjigje për “Zërin” ka thënë kjo mënyrë e testimit do të rrisë numrin e shoferëve të pajisur me patentë, por që nuk do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së tyre.
“Pra, do të kemi më shumë shoferë të pajisur me patentë, do të kemi kuantiket, por jo kualitet”, shprehet Bunjaku.
Edhe pse Ministria ka thënë se janë marrë shembull disa vende të Evropës, eksperti Bunjaku thotë se në fakt në vende evropiane bëhet testimi siç është bërë me metodën e vjetër në vend.
Një mendim krejtësisht ndryshe e ka profesori Muhamed Krasniqi, i cili ka thënë se ky ndryshim do të ndikojë pozitivisht në zhvillimet e përgjithshme të procesit të vlerësimit të aftësive të kandidatëve në pjesën teorike për pajisjen me patentë shoferi.

















