Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
12 nentor 2025
Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë po vazhdojnë në pjesën e lejuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili së fundmi është rizgjedhur për një mandat të dytë.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se punimet në këtë zonë janë duke marrë formë, duke e cilësuar projektin si një hap të rëndësishëm për transformimin urban të kryeqytetit.
Projekti për rindërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” është shoqëruar me polemika të shumta, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve lidhur me mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore.
Komuna kishte dërguar çështjen në gjykatë, duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe më pas shqyrtimin e ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Megjithatë, kërkesa për pezullim është refuzuar dy herë radhazi nga gjykata.
Aktualisht, punimet po zhvillohen në përputhje me kufizimet e vendosura nga autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

















