SHBA lejon blerjen e helikopterëve “Black Hawk” për FSK-në, Fetoshi: Arritja më e madhe për Kosovën dhe mesazh i qartë për Serbinë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

16 Janar 2025

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), i kanë dhënë dritën e gjelbër Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për blerjen e helikopterëve ushtarakë “Balck Hawk”.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë një vizite të tij në ShBA-së.

“Në fazën e tretë të tranzicionit ku do të kërkohen sisteme më të avancuara sidomos të mbështetjes ushtarake, që nënkupton helikopterë radarë të mbrojtjes ajrore. Dhe kemi marrë mbështetje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Republikën e Kosovës në ndërtimin e këtyre kapaciteteve”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministri madje i bëri një vizitë edhe fabrikës “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët “Black Hawk”.

Përveç helikopterëve, FSK këtë vit do të furnizohet edhe me pajisjen anti-tank Javelin me një numër të konsiderueshëm prej tyre.

Lidhur me këtë hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë se kjo është arritja më e madhe e Kosovës.

Fetoshi thekson se ky hap është një element kyç në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili përforcon aftësitë e saj për të mbrojtur vendin dhe rajonin.

“Avancimi i kapaciteteve të FSK-së me helikopterët amerikanë “Black Hawk” është një zhvillim tejet i rëndësishëm për konsolidimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Fetoshti duke shtuar se “veprimet e koordinuara me partnerët e NATO-s në tranzicionin e FSK-së, jo vetëm që i kanë demantuar skeptikët, por janë konfirmuar si domosdoshmëri për ngritjen e aftësive mbrojtëse në një mjedis gjithnjë e më të sfiduar të sigurisë”.

Fetoshi ka vlerësuar se kalimi në fazën finale të zhvillimit të FSK-së, me fokus në sistemin e mbrojtjes ajrore, është një hap i rëndësishëm në këtë proces. Ai ka theksuar se “përmbyllja e fazës së dytë me kapacitetet e plota luftarake të këmbësorisë, sistemet e armatimit të rëndë dhe pajisjet e sofistikuara, i mundëson FSK-së kalimin në fazën finale të zhvillimit me sistemin e mbrojtjes ajrore”.

Drejtori i Institutit Octopus tutje ka shtuar se ky zhvillim ka një rëndësi të madhe për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, duke shtuar se miratimi i helikopterëve “Black Hawk” nga Shtetet e Bashkuara është arritja më e madhe e Kosovës, jo vetëm në aftësimin e saj për mbrojtje nga kërcënimet e jashtme, por edhe në afirmimin ndërkombëtar si faktor ndërveprimi me aleatët për paqen dhe sigurinë në botë.

Scroll to Top