SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 prill 2025

Besimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga qeveria e re e Kosovës.

Këto tri shtete, së bashku me Italinë dhe Francën, bëjnë pjesë e grupit të shteteve që njihen si QUINT. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ambasadën e Italisë dhe Francës lidhur me pritjet e tyre nga ekzekutivi i ri i Kosovës, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugën për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja për një kohë të gjatë e ka mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shteti sovran, demokratik, multientik dhe prosperues.

“Presim të punojmë me Qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Scroll to Top