Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 qershor 2025
Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se Serbia duhet të përgjigjet para drejtësisë ndërkombëtare dhe ta dorëzojë kryekriminelin Millan Radoiçiq, i cili edhe e ka marrë përgjegjësinë për këtë rast.
Të hënën në Gjykatën Themelore më Prishtinë, ka vazhduar seanca e radhës për rastin “Banjska”. Në këtë seancë u dëgjuan dëshmitë e dy zyrtarëve policorë, Alban Rashiti e Çlirim Shaqiri të cilët kishin qenë në Banjskë bashkë me rreshterin Afrim Bunjaku më 24 shtator 2023.
Duke folur për rëndësinë e gjykimit të këtij rasti, Çollaku tha se bëhet fjalë për një rast unikat në kuptimin e organizimit dhe qëllimit që kishte grupi terrorist i udhëhequr nga Radoiçiq dhe interferimi që kjo ngjarje kishte në siguri dhe në perceptimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Bëhet fjalë për një rast shumë kompleks, epilogu i të cilit pritet të ndodh duke respektuar kodin e procedurës penale të Kosovës që nënkupton marrjen në pyetje të dëshmitarëve sipas fazave dhe në fund opinioni pret epilogun përfundimtar për këta persona të cilët janë të akuzuar. Një numër i tyre nuk janë të qasshëm për drejtësinë kosovare, megjithatë procedura po vazhdon”, tha ai në RTK.
Duke përgëzuar drejtësinë kosovare për punën, Çollaku theksoi se pret që ky rast të përfundojë me dënime meritore.
“Besojmë që provat janë me që bëhet fjalë për dëshminë e zyrtarit policor i cili ka qenë akter i ngjarjes dhe ka marrë plagë nga armët e zjarrit. Kemi të bëjmë me një rast konkret, prova dhe dëshmi të mjaftueshme.Serbia duhet të ulë kokën dhe të përgjigjet para drejtësisë ndërkombëtare dhe t’i sjellë para drejtësisë akterët si kryekrimineli Radoiçiq, i cili edhe e ka marrë përgjegjësinë për këtë rast”, theksoi ai.
Çollaku tha se beson në drejtësinë kosovare dhe hetimet që ka bërë prokuroria, edhe pse, sipas tij, në opinion perceptohej si e vonuar.