Serbia pezullon hetimet ndaj ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

15 dhjetor 2025

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

Spahiu është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në vend pas qëndrimit mbi pesë muaj në qendrën e ndalimit në Serbi. Ai ishte arrestuar më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po kthehej me familjen nga Austria në Kosovë.

Avokati i tij, Arianit Koci, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se mbajtja e Spahiut ishte e pabazuar, pasi nuk ka dëshmi që ai të ketë kryer ndonjë krim dhe nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës në kohën e incidentit.

Autoritetet serbe e kishin akuzuar Spahiun për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, ku një grup i armatosur serb shkaktoi vdekjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku. Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

Sulmin kundër Policisë së Kosovës e kishte organizuar Millan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe, i cili aktualisht është i ndjekur nga autoritetet kosovare për t’u gjykuar për këtë akt, i shpallur si terrorist. Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve po zhvillohet nga autoritetet e Kosovës, të cilat vazhdojnë të kërkojnë dorëzimin e Radoiçiçit.

Zyra e Prokurorit në Serbi nuk ka dhënë ende përgjigje për vonesat e procesit gjyqësor dhe për arsyet e bllokimit të tij.

Scroll to Top