Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
03 shkurt 2025
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë janë të një rëndësie të madhe për serbët në vend, thonë qytetarë të Mitrovicës së Veriut dhe Graçanicës, përfaqësues të tyre politikë dhe të shoqërisë civile.
Të gjithë pajtohen se politika e bojkotimit të institucioneve të Kosovës duhet të ndryshojë dhe se problemet e komunitetit serb duhet të institucionalizohen.
Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprim Afirmativ Social (CASA), thotë se pjesëtarët e komunitetit serb janë të vetëdijshëm se politika e bojkotimit ka dështuar.
Sipas tij, ka një numër të madh të qytetarëve që do të votojnë në zgjedhjet e Kosovës për herë të parë.
“Mendoj se këtë herë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës do të jetë rekorde”, thotë ai.
Dushan Radakoviq, koordinator rajonal i Demokracisë në Veprim – koalicion i organizatave joqeveritare që monitoron proceset zgjedhore në Kosovë – thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit janë të rëndësishme për komunitetin serb, meqë janë të parat që nuk bojkotohen në dy vjetët e fundit.
Megjithatë, ai nuk pret që ata të inkurajohen lehtë për të votuar, për shkak të të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur pas daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Ata janë tërhequr pas thirrjes së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në përpjekje për të parandaluar zëvendësimin e targave serbe me targa të Kosovës.
Por, pavarësisht kësaj, targat serbe janë zëvendësuar dhe Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për të konsoliduar pushtetin në veri.
Mes tjerash, ajo ka shfuqizuar dinarin serb dhe ka mbyllur institucionet që kanë funksionuar brenda sistemit të Serbisë, e që Kosova i ka konsideruar të paligjshme.
Gjithashtu, pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e kanë marrë kryetarët shqiptarë, për shkak se Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.
Çfarë thonë qytetarët?
Bosilka nga Graçanica – komunë afër Prishtinës – beson se zgjedhjet e 9 shkurtit janë të rëndësishme për serbët në Kosovë, në mënyrë që t’i zgjedhin përfaqësuesit e duhur politikë, që do të mundësojnë mbijetesën e tyre.
Ajo dhe familja e saj planifikojnë të jetojnë në Kosovë, ndaj për të është e rëndësishme që të krijohen, siç thotë, kushte më të mira jetese.
“Për ne që jetojmë këtu, zgjedhjet duhet të jenë të rëndësishme. Unë, thjesht, dua të qëndroj dhe të jetoj këtu, kam lindur këtu dhe nuk do të doja të shkoja askund. Prandaj, është e rëndësishme që ta kemi dikë për të luftuar”, thotë Bosilka.Edhe Jovica nga Graçanica beson se zgjedhjet e ardhshme janë të rëndësishme për komunitetin serb, por thekson se ai nuk u beson politikanëve.
“Politika më është neveritur”, thotë Jovica, por shton se do të votojë, “sepse ashtu duhet”.
Natasha nga Mitrovica e Veriut thotë se serbët në veri të Kosovës janë “shkatërruar” në dy vjetët e fundit. Ajo nuk është e sigurt nëse përfaqësuesit politikë që do të zgjidhen, do t’i përmbushin premtimet e tyre.
“Sinqerisht, nuk e di se çfarë të pres. Por, patjetër, zgjedhjet do të ndikojnë në jetën time dhe në vendimin tim nëse do të qëndroj apo jo këtu… sepse me këtë represion që po e përjetojmë, çdo ditë pyesim veten se çfarë bën policia me armë të gjata këtu, derisa ne shëtisim me fëmijë. Ne me të vërtetë nuk kemi nevojë për një jetë të tillë”, thotë Natasha.
Autoritetet e Kosovës kanë shtuar praninë e policisë në veri, pasi serbët kanë braktisur institucionet dhe tensionet janë rritur.

















