Serbët e veriut presin mbështetje nga qeveria e re

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 shkurt 2025

Lista Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit ka treguar rritje të konsiderueshme sipas rezultateteve të fundit, e cila i ka 9 mandate në Kuvend. Disa qytetarë serbë në veri të vendit presin nga institucionet e Kosovës të punojnë më shumë për përmirësimin e jetës së tyre. Ndërsa, analistët serbë konsiderojnë se Lista Serbe është dirigjuar nga Beogradi dhe se pavarësisht se kanë qenë të përfshirë në Kuvend nuk kanë punuar për interesat e komunitetit serb.

’Nuk e di çka të them, le të bëhet çka të bëhet ne si qytetarë nuk mund të ndërrohemi. Ka më u bë më mirë, jemi të kënaqur që ka fituar Lista Serbe”.

“Çka me pritë nga këto zgjedhje, asgjë nuk do të ndërmerret. Njëjtë sikurse ka qenë deri më tani. Jam i kënaqur me Listën Serbe”.

“Çka mund të them, keq andej keq këndej”.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar bindshëm në komunat me shumicë serbe duke përfshirë edhe komunat me shumicë serbe në pjesë të tjera të Kosovës duke fituar 9 ulëse në Kuvend.

Analisti, Bratislav Kërstiq, tha se në komunat me shumicë serbe janë të instaluara mekanizmat nga regjimi i Beogradit zyrtar përmes të cilave serbet e Kosovës janë viktima. Sipas tij, qytetarët serbë po votojnë për pushtetin në Beograd.

‘’Beogradi e ka mekanizmat që me vite të tëra është duke manipuluar me serbet dhe kanë metoda të ndryshme të shantazhit dhe presionit”, tha ai.

Analisti Kërstiq konsideron se Lista Serbe është instrumenti në duart e regjimit të Vuçiqit.

“Lista Serbe 12 vjet ka pas me ka dhjetë mandate në Parlamentin e Kosovës dhe nuk shihet që ka punuar për interesat e komunitetit serbë në Kosovë. Po punojnë për interesat e veta”, tha Kërstiqi për rtv21.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë vlerësojnë se zgjedhjet e së dielës kanë treguar nivel të lartë të demokracisë. Sipas tyre, partitë politike nuk duhet të luftojnë për pushtet, por për shtet dhe interesa të qytetarëve.

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore ishte mbajtur pa ndonjë incident që do të shkaktonte prishjen e procesit zgjedhor.

Scroll to Top