Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në Bruksel, Kosova përfaqësohet nga Osmani

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 dhjetor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Brukselit për të përfaqësuar Kosovën në Samitin e Liderëve BE–Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë edhe udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të rajonit.

Në kuadër të Samitit, pritet të diskutohet forcimi i partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane për vendet e rajonit. Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtues të institucioneve evropiane dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, ku do të trajtohen çështje me rëndësi për Kosovën.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në fokus të diskutimeve do të jenë heqja e masave ndaj Kosovës dhe përparimi i saj në rrugën e integrimit evropian. Agjenda e Samitit përfshin edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe temat që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.

Po ashtu, liderët do të trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, menaxhimin e migracionit, si dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.

Scroll to Top