Ministria e Ekonomisë, KOSTT dhe KEDS kanë mbajtur një takim të përbashkët në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku është diskutuar mbi situatën e furnizimit me energji elektrike pas raportimeve të qytetarëve të disa komunave të Kosovës për ndërprerje të energjisë gjatë ditëve të fundit.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
KOSTT dhe KEDS bënë të ditur se “me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si pasojë, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin.” Për të shmangur dëme më të mëdha, operatorët janë detyruar të bëjnë “shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin.”, thuhet në njoftim.
Problemet më të mëdha janë hasur në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, ndërsa “ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it thuhet se janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve.”
Në Fushë-Kosovë, ku ka pasur gjithashtu probleme, “me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.”
Po ashtu, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit në tremujorin e parë të vitit 2025, me qëllim të “zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.”
Ministria e Ekonomisë thekson se në këtë periudhë të vitit, kur kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, është thelbësore për sigurinë e furnizimit që qytetarët të jenë të kujdesshëm.
“KOSTT dhe KEDS kërkuan nga qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12:00 dhe pasdites nga ora 18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është i domosdoshëm për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë”, thuhet në njoftim.

















