Rritja e çmimit të energjisë rrit kostot e prodhimit dhe çmimet e produkteve në Kosovë

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

17 nentor 2025

Pas liberalizimit të tregut të energjisë, çmimet e rrymës për kompanitë prodhuese në Kosovë janë rritur deri në 300 për qind, duke bërë që prodhimi vendor të jetë më i shtrenjtë se produktet e importuara nga rajoni dhe Evropa.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai tha se shumë kompani, pas muajit qershor, kanë kaluar nga zgjerimi i prodhimit te përpjekja për mbijetesë, duke u orientuar drejt përdorimit të paneleve diellore. Disa biznese madje janë mbyllur ose kanë reduktuar kapacitetet prodhuese.

Rafuna paralajmëron se muajt dimëror do të sjellin kulmin e vështirësive dhe rritje të çmimeve të produkteve. “Efektet e kësaj do të vërehen gjatë nëntorit, dhjetorit dhe janarit, kur është edhe piku i konsumit të energjisë elektrike”, u shpreh ai.

Për të lehtësuar situatën e bizneseve prodhuese, Rafuna sugjeron që qeveria të ndërhyjë me subvencione ose masa fiskale për të mbështetur sektorin.

Scroll to Top