Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 mars 2025
CorrWatch, nismë e konsorciumit të përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë mbajtur Konferencën e Tretë Vjetore me temë “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”.
Në publikim të këtij raporti u tha se edhe këtë vit, si vitet e kaluara, është numër i lartë i ushtruesve të detyrës, por sipas raportit, këtë vit është një numër më i vogël me u.d. të sekretarëve në ministri.
Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë ekzekutive e GLPS-së, ka thënë se një nga sfidat kryesore të këtij viti ka qenë moslejimi i monitorimit nga disa institucione në rekrutim.
“Kjo Konferencë Vjetore ka për qëllim të shpalosë rezultatet dhe sfidat e identifikuara gjatë monitorimit njëvjeçar (shkurt 2024 – shkurt 2025), në fushat të cilat i mbulon iniciativa CorrWatch, siç janë rekrutimi në sektorin publik, prokurimi publik, shpërndarja e granteve dhe subvencioneve, dhënia e lejeve, licencave dhe tarifave si dhe performanca dhe menaxhimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë. Një ndër sfidat kryesore që ka karakterizuar këtë vit ka qenë mungesa e transparencës apo moslejimi i monitorimit nga disa institucione në komponenta të ndryshme. Vlen të ceket Ministria e Financave në rekrutim të disa pozitave, MINT gjithashtu, KPMM dhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, e njëjta në monitorim të proceseve dhe në leje në dy komponente”, ka thënë Arbëresha Loxha-Stublla.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se luftimi i korrupsionit është një kërkesë kyçe në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.
Ai tha se shoqëria civile po hedh dritë mbi keqpërdorimin e fondeve publike, duke u përputhur me rekomandimet e BE-së për Kosovën për të forcuar transparencën financiare dhe masat kundër korrupsionit.