Rreziku i lobimit të Serbisë kundër nominimit për Nobel, Rushiti: Duhet të ndërtojmë një strategji për sukses

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 janar 2025

“Serbia do të aktivizojë lobuesit kundër këtij nominimi, por kjo është një fitore e madhe për Kosovën dhe kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale”, me këto fjalë, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) Feride Rushiti, ka përshkruar rëndësinë e nominimit për Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar këtë nominim, si një njohje globale për përpjekjet e Kosovës dhe të mbijetuarve të krimeve të luftës. 

Rushiti në një intervistë për Ekonomia Online tha se ky vlerësim është një moment i veçantë jo vetëm për organizatën, por për gjithë shoqërinë kosovare.

Ajo ka theksuar se nuk kishte pasur informacione paraprake për këtë nominim, por që sipas saj, nga shoqëria ndërkombëtare lajmi për nominim për Çmimin Nobel për Paqe është  cilësuar si lajmi më i gëzuar që i bëhet Kosovës, pas pavarësisë.

“Si organizatë kemi punuar ndër vite për grupet të cilat i përfaqësojmë edhe ju ndihmojmë edhe asnjë herë nuk na kanë motivuar ose nuk na kanë udhëhequr mirënjohjet ndërkombëtare, padyshim ato çdo herë kur na kanë ardhur kanë qenë një frymëzim edhe energji për të ecur tutje mbi sfidat me të cilat ne i përfaqësojmë edhe kauzën të cilën ne e mbrojmë. Megjithatë, nominimi për Çmimin Nobel ka ardhur fare pa dijeninë tonë”, tha Rushiti për Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se ky nominim është një vlerësim që i është bërë jo vetëm Kosovës, por edhe kauzës së të mbijetuarve që e dërgon në një nivel global.

“Eocionalisht nuk është që je përgatitur sikur kur e din edhe emocionet arrin që t’i menaxhosh ndryshe, në atë moment kam pasur telefonata, thirrje nga miqtë, bashkëpunëtorët, të aktivisteve. Disa shoqe të mia ndërkombëtare me të cilat bashkëpunoj më kanë thënë që pas pavarësisë së Kosovës, ky është lajmi më i gëzuar që i bëhet Kosovës dhe nderi më i madh. Edhe unë e kam pritur kështu, jo vetëm për vetën, jo vetëm për organizatën, jo vetëm për kauzën edhe me mijëra zëra të grave dhe burrave të cilët falë mbijetesës që e kanë arritur dhe ndarë përvojën e tyre me organizatën, mendoj që është një vlerësim që i është bërë Kosovës edhe kauzën e të mbijetuarve e dërgon në një nivel global”, tha Rushiti.

Scroll to Top