Rikthehet në prodhim A5-shi, KEK-u thotë se tymi i zi është normal në startimin e çdo njësie prodhuese

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 qershor 2025

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se të enjten është rikthyer në prodhim njësia A5 e Termocentralit Kosova A dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit. 

Sipas njoftimit të KEK-ut kjo është bërë pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.

Të hënën është parë që nga kjo njësi ka rrjedhë tym i zi.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se në startimin e çdo njësie prodhuese mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet.

“Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë. Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet. Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, çka thuhet se konfirmon përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.

Scroll to Top