Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
09 Janar 2025
Punë edhe nga shtëpia, edhe nga një qytet kufitar i Serbisë. Ky është rasti i Milloshit nga veriu i Kosovës tash e disa muaj, pasi autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur institucionin ku ai ka punuar, me arsyetimin se veprimtaria e tij, brenda sistemit të Serbisë, ka qenë e paligjshme
Një ose dy herë në javë, Milloshi shkon për të punuar përtej kufirit, ku Beogradi zyrtar i ka zhvendosur institucionet e tij pas mbylljes.
Identiteti i vërtetë i tij, institucioni ku ai punon dhe vendbanimi i tij në Kosovë janë të njohur për Radion Evropa e Lirë, por ai kërkon që të gjitha të mbeten anonime, nga frika se mund të akuzohet për “falsifikim dokumentesh” – ashtu siç e karakterizon, zakonisht, punën në institucionet serbe Prokuroria e Kosovës.
Në muajin dhjetor, REL-i ka përcjellë shkuarjen në punë të Milloshit dhe të disa qytetarëve tjerë në një qytet kufitar të Serbisë.
Ata nisen rreth orës 7:00 në mëngjes. Nganjëherë vonohen për shkak të tollovisë në trafik, por palët i presin me padurim para zyrave alternative, të vendosura në kontejnerë të zinj, pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë e Merdare.
Disa kërkojnë certifikata ose dokumente të tjera administrative, të lëshuara nga autoritetet serbe, e të tjerë dokumente për kredi në bankë, apo të ngjashme.
Gjatë tri-katër ditëve të tjera të punës në javë, Milloshi punon nga shtëpia në Kosovë.
Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i mbyllë institucionet për Kosovën dhe ka paralajmëruar hapjen e “zyrave moderne” në anën serbe të pikave kufitare.
Ai ka premtuar edhe më shumë të ardhura për ata që udhëtojnë, në mënyrë që t’u mbulohen shpenzimet.
Por, ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet e Kosovës.
Petri nga Mitrovica e Veriut është një nga ta. Ai shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën, meqë dinari serb është hequr nga përdorimi në Kosovë qysh në shkurt të vitit të kaluar.
“Unë nuk shkoj në punë, por rroga më del në llogarinë në dinarë. Ndoshta edhe kjo është dashur të zgjidhet, në mënyrë që rroga të na dalë në euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
*Lidhur me këtë REL-i ka biseduar me disa banorë në veri. Derisa serbët lokalë thonë se këto masa ua vështirësuan jetesën, shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre në veri 25 vjet pas luftës, e shohin këtë ndryshe.
Cilat institucione janë mbyllur deri më tani?
Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar edhe këtë vit me mbylljen e institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.
Më 8 janar është mbyllur Administrata Tatimore në Mitrovicë të Veriut – njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se autoritetet kosovare i kanë mbyllur hapësirat e saj, por jo edhe Administratën Tatimore të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë.