Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 prill 2025
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Në seancë do të paraqiten fjalët hyrëse të palëve.
Nën masa të larta të sigurisë janë sjellë në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë në paraburgim nga shtatori i vitit 2023.
Ata janë arrestuar pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulm terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

















