Rashiq denoncon presionet ndaj serbëve në Kosovë para zgjedhjeve: “Largime nga puna dhe trajtim si armiq për kundërshtarët e Listës Serbe”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

08 tetor 2025

Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, serbët në Kosovë po përballen me presion të madh nga Serbia.

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, tha për Telegrafin se ata që shprehin kundërshtime ndaj Listës Serbe po trajtohen si armiqtë më të mëdhenj.

Ai gjithashtu tha se përveç presioneve politike, serbët po përballen edhe me largime nga puna.

Sipas tij, tashmë është larguar nga puna kandidati për kryetar të Komunës së Shtërpcës, Sladjan Nikolçeviq.

“Para një ore më kanë informuar se kandidati jonë për kryetar të Shtërpcës është larguar nga puna. Kandidati është larguar nga puna, dhe unë e kam vendimin. Po ndërlidhem me temë, jo vetëm në veri, por në të gjithë territorin e Kosovës, po ballafaqohemi me një dhunë brutale sistematike ndaj të gjithë atyre jo vetëm që janë në listë për zgjedhjet lokale, por edhe familjarët e tyre. Krejt po i trajtojnë në një mënyrë brutale, të largimit prej pagave, skemave sociale, ndaj çdo benefiti që mund të hiqet po i heqin. Kjo po ndodhë në të gjitha zgjedhjet”, theksoi ai.

Rashiqi po ashtu shprehu shqetësimin e tij me reagimin e institucioneve të Kosovës.

“Jam i dëshpëruar me institucionet e Kosovës, që nuk kanë fuqi t’i ndalin këto fenomene të vrazhda, që po përsëriten nga viti 2012. D.m.th në secilat zgjedhjet, ata që janë kundër Listës Serbe po trajtohen sikur janë armiqtë më të mëdhenj, dhe pasojat që po i krijojnë lënë një jostabiltet tek te gjithë ata që janë kundër Listës Serbe. Pra, jam i zhgënjyer me butësinë e institucioneve të Kosovës, që nuk kanë fuqi t’i mbrojnë njerëzit e vet”, tha ai.

Ndryshe, më 12 tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale. Në to, qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivelin komunal, kryetarët e komunave dhe asamblistët, të cilët janë përgjegjës për vendimmarrje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit. 

Scroll to Top