Raportimi i dhunës – fillimi i ndryshimit: Çfarë ndodh me gratë më pas?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

02 dhjetor 2025

Aty ku plagët kthehen në forcë – dhe çdo mëngjes nis si një premtim i ri

Në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, mëngjeset nisin me bashkëpunim dhe me përpjekjen për të ndërtuar një ditë të re. Gratë e strehuara – të gjitha të mbijetuara të dhunës në familje – ndjekin kurse rrobaqepësie, kompjuterike e gatimi, marrin ndihmë juridike dhe mbështetje psikosociale, ndërsa fëmijët e tyre përfshihen në aktivitete kreative.

Drejtoresha e qendrës, Ardita Bala, thotë se qëllimi është që çdo grua të gjejë forcën për të nisur jetën nga e para. Në qendrën me kapacitet deri në 18 persona, qëndrimi fillon me kontratë gjashtëmujore, por zgjatet sipas nevojës.

Që nga viti 2001, aty janë strehuar 1.758 gra, ndërsa shumë prej tyre kanë nisur punë falë trajnimeve të ofruara. Bala tregon se vetëm njëra nga pesë gra që përjetojnë dhunë e raporton atë, shpesh për shkak të varësisë ekonomike dhe frikës.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se në vitin 2023 u regjistruan gati 3.000 raste dhune në familje, numri më i lartë deri më sot. Këtë vit, deri në tetor, janë regjistruar 2.429 raste.

“Dhuna është cikël që kalon te fëmijët. Strehimoret nuk janë vendi ku përfundon jeta, por ku ajo rifillon”, thotë Bala.

Scroll to Top