Rama mbështet protestuesit për trafikun urban: Ministër, qiti 35 milionë euro menjëherë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas konferencës për media është bashkuar me protestuesit — punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë — duke bërë apel emocional për veprim të menjëhershëm nga Qeveria. Ai ka akuzuar Ministrinë e Financave se po mban jashtëligjërisht 35 milionë euro të ardhura vetanake të komunës.

Rama i ka drejtuar thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që të heqin “inatet politike” dhe të bashkohen për t’i dhënë përparësi interesit të qytetarëve. “Qiti paret, ministër, menjëherë” – ka qenë mesazhi i tij i drejtpërdrejtë.

Ai tha se kanë planifikuar një seancë të jashtëzakonshme bashkë me masa të tjera, ndërsa asamblistët që më parë bllokuan fondet janë gati të votojnë për lirimin e 28 milionë eurove shtesë. Por sipas Ramës, problemi kryesor mbetet mungesa e 35 milionëve, që “mbahen në mënyrë jo ligjore”.

Rama paralajmëroi se nëse këto para nuk lëshohen menjëherë, “operatorët publikë dhe privatë do të mbesin pa pagesë dhe qytetarët pa shërbime publike”. Ai konfirmoi se komunës tashmë i është drejtuar institucioneve, madje edhe me kallëzim penal kundër Muratit dhe tre zyrtarëve të tjerë.

Ndërkohë, transporti publik në Prishtinë është ndërprerë, pasi “Trafiku Urban” dhe operatorët privatë njoftuan pezullimin e shërbimit, duke bërë që qytetarët të mbeten pa autobusa. Rama paralajmëron se kjo krizë ka karakter politik dhe po dëmton jetën e banorëve të kryeqytetit.

Scroll to Top