Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
13 maj 2025
Pas disa përpjekjesh të dështuara për formimin e institucioneve, presidentja e Kosovës, Osmani njoftoi se nga 15 maji do të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet.
Ambasadorët e vendeve më të industrializuara, të njohur si vendet e QUINT-it të kërkuan nga klasa politike në Kosovë që të gjejë rrugë për formim të shpejtë të institucioneve. Status quo-ja nuk i sjell dobi askujt, thuhet në reagimin e ambasadorëve, pas bllokadës tashmë disa javore të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Funksionalizimi i Kuvendit është parakusht në mënyrë që të kalohet në fazën tjetër për formimin e qeverisë. Edhe një seancë e radhës u mbajt të martën më 13.05, ku propozimi i Vetëvendosjes që doli partia e parë në zgjedhje dështoi për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit, e cila nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave, ashtu sikurse edhe në 14 seancat e shkuara.
“Një qeveri stabile dhe funksionale është e domosdoshme”
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it zhvilluan një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në njoftimin e publikuar nga zyra e tij nuk u përmend ndonjë diskutim lidhur me situatën politike të krijuar në vend. Ndërkohë, pas takimit, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, theksoi se “për të avancuar në procesin e integrimit evropian, Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe efektive. Gjendja aktuale e pasigurisë politike nuk i shërben askujt,” u shpreh Orav.
Gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it ritheksuan nevojën për formimin e një qeverie stabile dhe funksionale. Ambasadori gjerman Jörn Rohde tha se “Kosovës i duhet një qeveri e aftë për të marrë vendime, pasi shumë çështje të rëndësishme janë në pritje”.
E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, kërkoi bashkëpunim mes liderëve politikë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, duke theksuar rëndësinë e institucioneve për mirëqenien e qytetarëve.
Në të njëjtën linjë, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves kërkoi krijimin e shpejtë të institucioneve dhe theksoi rëndësinë e progresit në fusha si zhbllokimi i fondeve dhe integrimi euroatlantik.

Për të zgjidhur ngërçin politik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj konsultime me liderët e partive politike për konstituimin e Kuvendit. Ftesat janë dërguar dhe po priten konfirmimet, njoftoi këshilltari Bekim Kupina.
Partitë janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa AAK e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pritur vlerësim mbi kushtetutshmërinë e seancave të fundit. Nëse nuk gjendet zgjidhje, nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të reja.
Sipas Kushtetutës, vetëm pas konstituimit të Kuvendit, presidentja mund ta mandatojë partinë fituese për formimin e qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje, me 48 deputetë, duhet të lidhë koalicion për të siguruar shumicën prej 61 votash.

















