Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 qershor 2025
Qeveria në detyre e Kosovës synon t’i ndërtojë dy ura në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilat do ta lidhnin Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën Jugore të banuar me shumicë shqiptare.
Synimi për ndërtimin e tyre vjen disa ditë pasi Mitrovica – qyteti i ndarjes më të theksuar etnike në Kosovë – e themeloi Bordin e Përbashkët mes komunës jugore.
Themelimi i bordit u përshëndet nga Qeveria në detyrë e vendit, ashtu si edhe nga dy komunat, të cilat e kanë cilësuar si mundësi për të sjellë projekte të përbashkëta, që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një fotografi e cila tregon se si do të dukeshin këto dy ura.
Siç shihet në fotografitë e publikuara, urat e reja do të ndërtoheshin në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, të arritur në Bruksel si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.