Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
11 qershor 2025
Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai shtoi se informacione të tjera do të jepen ndërkohë.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.
Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.
Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.
Pas dy vjetësh funksionimi, kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj ishte mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.
Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe forcimin e sigurisë kufitare. Qeveria në detyrë e Kosovës tha se SHBA mbetet një aleat i palëkundur dhe partner strategjik në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Ndërkohë, sipas Bloomberg News, administrata e ish-presidentit Donald Trump po ushtron presion ndaj disa vendeve të Ballkanit, përfshirë Serbinë, që të pranojnë migrantët e dëbuar nga SHBA. Ky zhvillim vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme që i hap rrugë heqjes së statusit të përkohshëm për qindra mijëra migrantë nga disa vende të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Kosova, nga ana tjetër, ka shprehur gatishmëri për të diskutuar me Mbretërinë e Bashkuar ngritjen e qendrave të kthimit për azilkërkuesit e refuzuar nga Britania, një pjesë e strategjisë së saj për menaxhimin e migracionit të paligjshëm. Por organizata si Human Rights Watch kanë shprehur shqetësime për pasojat në të drejtat e njeriut.
Në të kaluarën, Kosova ka marrë pjesë në marrëveshje të ngjashme, si ajo me Danimarkën për dhënien me qira të 300 qelive burgu për të dënuar të huaj, nga e cila ka përfituar mbi 200 milionë euro. Po ashtu, në vitin 2021, Kosova strehoi rreth 1.900 shtetas afganë të evakuuar pas marrjes së pushtetit nga talibanët, në kuadër të një marrëveshjeje me SHBA-në.