Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
14 nentor 2025
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se po shqyrton ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me parregullsitë e pretenduara në fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut.
PZAP tha se vendimi për këtë ankesë do të merret brenda afatit të paraparë ligjor. “PZAP-i ka pranuar ankesën me nr. ZL.Anr.439/2025, që ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Aktualisht ankesa është në proces shqyrtimi dhe vendimi do të merret brenda afatit ligjor,” tha PZAP.
Institucioni shtoi se deri tani nuk janë pranuar ankesa të tjera nga parti të tjera për fletëvotime me numra serik të ndryshëm në komunat e tjera.
PZAP konfirmoi gjithashtu se ka pranuar edhe ankesën me nr. ZL.Anr.440/2025, që lidhet me pretendime për parregullsi gjatë numërimit në Komunën e Drenasit. PDK-ja kishte dorëzuar këto ankesa përfshirë edhe Mitrovicën e Jugut, duke pretenduar manipulim të votave në këto zona.
Ndryshe, më 10 nëntor, në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, procesi i numërimit u ndërpre pas raportimeve për parregullsi të mëdha.

















