PZAP-ja mori vendim të votohet vetëm në përfaqësitë diplomatike, Murati akuzon LDK-në se po pengon diasporën

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 dhjetor 2025

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili pranoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anuloi qendrat alternative të votimit jashtë Kosovës, duke lejuar votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike.

Ai përmes një postimi në Facebook, e akuzoi LDK-në se po vepron kundër interesit të diasporës dhe po pengon pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?”, ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofru hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë me e pasë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit.

LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së.

Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë.

Scroll to Top