Pse Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

02 qershor 2025

Emërimi i Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën është pritur me gëzim nga Dioqeza Prizren – Prishtinë, thonë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ky emërim u bë nga Papa Leoni XIV, më 20 maj, vetëm 12 ditë pasi ai mori timonin e Selisë së Shenjtë në Vatikan, pas vdekjes së Papa Françeskut, më 25 prill të këtij viti

Don Shan Zefi, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës, thotë se emërimi i delegatit të ri apostolik për Kosovën ndodhi në një kohë të shkurtër nga papa i ri dhe se ky është një sinjal i mirë për vendin.

“…sepse edhe ky papë, qysh në fillimin e pontifikatit të tij, përnjëherë merret me çështjen e Kosovës. Prandaj edhe e ka emëruar këtë delegat për Kosovën, që e ka selinë në Lubjanë”, thotë Don Shan Zefi për Radion Evropa e Lirë.

Por, roli i Luigji Biankos nuk do të jetë krejtësisht i njëjtë në Slloveni dhe Kosovë.

E në sqarimet e më hershme që ka dhënë Vatikani, misioni i një delegati apostolik “nuk është i një natyre diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë

Pse Vatikani nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet?

Mosnjohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë mbetet një çështje komplekse, sipas diplomatëve dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike në vend. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit kanë hyrë në një fazë të re.

Vehbi Miftari, shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, tha se dekretimi i Misionit të Përhershëm në vitin 2023 dhe bashkëpunimi kulturor e politik po forcojnë raportet mes dy palëve.

Sipas tij, këto zhvillime tregojnë për njohjen e realitetit demokratik të Kosovës, por njohja formale nga Selia e Shenjtë ende has në pengesa dhe mbetet një sfidë diplomatike.

Scroll to Top