Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 shkurt 2026
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”, ka paralajmëruar organizimin e një proteste kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar në ora 13:00, pranë objektit të KEDS-it dhe do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në reagimin e tyre për media, organizatorët kanë kritikuar rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë që nga viti 2022, duke i cilësuar si të padrejta dhe të papërballueshme për qytetarët. Sipas tyre, kërkesat e vazhdueshme të KEDS-it për shtrenjtim të energjisë janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke rënduar drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve.
Ata theksojnë se qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë elektrike, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it. Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të rrymës, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e përgjithshme të kostos së jetesës si pasoja të drejtpërdrejta të shtrenjtimit të energjisë.
Në deklaratë rikujtohet se vitin e kaluar u miratua një rritje prej 16.1%, ndërsa për këtë vit është paralajmëruar një tjetër rritje rreth 20%, të cilën organizatorët e cilësojnë si “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.
Sipas tyre, KEDS-i vazhdon të përfitojë nga energjia e prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), të cilën e blen me çmime të ulëta dhe më pas ua shet qytetarëve me çmime shumë më të larta. Kjo situatë, sipas organizatorëve, po thellon varfërinë dhe po dëmton rëndë interesin publik.
Në kuadër të protestës, organizatat kanë paraqitur dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe fillimin e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, një kërkesë që, sipas tyre, mbështetet edhe nga sindikatat.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës t’i bashkohen protestës. Vetëm përmes veprimit të përbashkët mund t’i japim fund kësaj hajnie shumëvjeçare dhe ta rikthejmë energjinë elektrike në shërbim të popullit”, thuhet në njoftim.

















