Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 shkurt 2026
Në Hagë ka nisur procesi i radhës kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, gjatë fjalës së saj ka theksuar se Gjykata Speciale ka funksionuar si “trup efektiv dhe i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”. Ajo shtoi se, pavarësisht frikës dhe stigmatizimit, dëshmitarët kanë bashkëpunuar për të nxjerrë të vërtetën në dritë. Sipas Prokurores, rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë keqtrajtuar në mbi 50 kampe të kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
West ka nënvizuar se çështja lidhet me vendosmërinë e të akuzuarve për të fituar kontrollin mbi të gjithë Kosovën dhe për të eliminuar kundërshtarët, duke përfshirë bashkëpunëtorët e forcave serbe dhe zyrtarë serbë. Ajo theksoi se nuk ka kërkesë për dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por vetëm për personat e akuzuar, duke kërkuar një dënim prej 45 vitesh burg.
Nga ana tjetër, Prokurori Alan Tieger ka rifilluar procesin duke përmendur dëshmitë e para të mbledhura. Ai theksoi rolin e Thaçit dhe Veselit në vijën e parë të UÇK-së që nga vitet 1994-1998, duke menaxhuar kontakte, armatime dhe duke organizuar sulme të sinkronizuara ndaj forcave serbe.
Tieger përshkroi Rexhep Selimin si një figurë të respektuar brenda UÇK-së, me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe rol të rëndësishëm në fushëbetejë. Ai u përfshi si organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe, duke u shndërruar në një pjesë kyçe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Procesi në Hagë vijon, ndërsa prokuroria dhe mbrojtja do të paraqesin dëshmi dhe argumente përmes seancave të radhës.

















