Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 shkurt 2025
Pavarësisht pranimit të fajësisë, Milan Radoiçiq nuk është akuzuar ende nga autoritetet serbe. Avokati Ivan Niniq thotë se procesi po shtyhet për të ulur presionin ndërkombëtar mbi Serbinë.
Avokati nga Beogradi vlerëson se Beogradi ende nuk është i gatshëm të zhvillojë procesin gjyqësor lidhur me sulmin në Banjskë kundër Milan Radoiçiqit. Duke komentuar njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se vendimi për aktakuzën kundër Radoiçiqit mund të merret në fillim të vitit 2025, Niniq vlerëson se një proces i mundshëm do të varet nga marrëveshja politike me udhëheqjen shtetërore.
Ai thekson se presioni ndërkombëtar është kyç dhe se hapat e mëtejshëm në lidhje me Banjskën do të varen nga marrëdhëniet midis Serbisë dhe Perëndimit.
Edhe pse ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i afërt me autoritetet serbe, ka pranuar se ka organizuar grupin e armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, në Serbi ende nuk ka përparim lidhur me ndjekjen e tij penale.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ende nuk ka marrë vendim për aktakuzën për rastin Banjskë të datës 24 shtator 2023, edhe pse kryeprokurori Nenad Stefanoviq e paralajmëroi këtë në fund të vitit 2024, duke thënë se vendimi do të merret në fillim të vitit 2025. Deri më tani, është njoftuar vetëm se hetimi është në vazhdim dhe se po verifikohen deklaratat që Radoiçiq ka dhënë gjatë marrjes në pyetje.
Avokati beogradas, Ivan Niniq vlerëson se shtyrja e procesit është një mënyrë për të fituar kohë, ndërsa mbi udhëheqjen politike të Serbisë po ushtrohet presion ndërkombëtar.

















